Treni i cili u nis te shtunden nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut në Kosovë, është ndalur në qytetin serb Rashkë, prej nga është kthyer sërish në Beograd.

Treni është vlerësuar si njëri nga provokimet e radhës të Serbisë, ndërsa është kërkuar ndalimi i tij në territorin e Kosovës. Autoritetet kosovare prej ditësh ishin deklaruar kundër hyrjes së trenit serb në territorin e Kosovës.

Më herët Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha për Express se kishte dhënë urdhër që me çdo çmim të mos lejohej hyrja e trenit serb në Kosovë. Ai deklaroi se beson në autoritetet e Kosovës se, do të ndalin hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës. “Kam besim të plotë se autoritetet do t’i kryejnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese. Institucionet duhet t’i kryejnë këto përgjegjësi. Mjaft është mjaft. Do të ketë zero tolerancë ndaj Beogradit në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, deklaroi Presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në orët e mbrëmjes së të shtunës se ndalimi i hyrjes së trenit ishte vendimi i duhur.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehu të shtunën shqetësimin lidhur me zhvillimet rreth trenit.
“I brengosur për çështjen e trenit. Bëj thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Kemi nevojë për normalizim, e jo për konfrontim”, ka shkruar ambasadori Delawie në rrjetin social Twitter.

Save
Save
Save
