Përvjetori i fillimit te bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe

Nëntëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

NATO airbase, near Piacenza in Northern Italy,

Source: AP Photo/Luca Bruno

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Nëntëmbëdhjetë më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”. Bombardimet e vitit 1999 të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, i kanë kthyer serbët kundër perëndimit dhe drejt Rusisë, e cila po ashtu kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, ndërsa ka zhvilluar fushatë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën ushtarake perëndimore.

Nëntëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.


Share

2 min read

Published

Updated

By VARIOUS



Share this with family and friends