Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u krijua alfabeti i njëhsuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.
Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit kurse
kryetar i Komisionit për Alfabetin u bë Gjergj Fishta.
Rilindësit e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike që pengonte bashkimin e shqiptarëve.
Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe antarë të tjerë: Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Nyzhet Vrioni, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Mihal Grameno, Zenel Glina, Leonidha Naçi, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Aziz Starova, Adam Shkaba, Mati Logoreci, Rrok Berisha, Shefqet Frashëri, Nikollë Kaçorri, Refik Toptani, Hafëz Ibrahimi, Emin Bej Shkupi, Rauf Bej Gjirokastra, Selahedin Bej Manastiri etj.
Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njëhsuar shqipe.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit.




