U deshën 10 muaj punë për ti dhënë jetë projektit të Sheshit Skënderbej. Inaugurimi I tij ditën e shtune përkon dhe me 139 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt në 10 qershor 1878. Sheshi e ka marrë këtë emër më shumë se një shekull më parë. Emri Sheshi Skënderbej u përdor për herë të parë në vitin e largët 1913, për hapësirën që shtrihet sot përpara Xhamisë së Ethem Beut.
Mes emocioneve kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Velia falenderoi përzemërsisht të gjithë kontribuesit për ndërtimin e kësaj vepre.
Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Rama u shfaq mjaft i emocionuar për transformimin e këtij sheshi, simbol të shqiptarëve, ndërsa tha se ky ndryshim nuk do të ishte i mundur pa kryebashkiakun Erion Veliaj.
Rama tha se është hera e parë në historinë e tij politike që i dridhen gjunjët nga emocioni për sheshin, projekt që e kishte nisur në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Përurimi i Sheshit Skënderbej u kthye në një festë të madhe për Tiranën. Mijëra banorë të saj ishin të pranishëm në koncertin e organizuar nga Bashkisë së Tiranës.
Koncerti u mbyll me një spektakël fishekzjarresh.



