Festivali i Dandenong-ut mbledh sërish komunitetin shqiptar në Victoria

Festivali Shqiptar i Dandenong-ut, 2006

Festivali Shqiptar i Dandenong-ut, 2006 Source: SBS Albanian

Mblidhet sërish festivali Shqiptar i Dandenong-ut. Festivali organizohet falë përkujdesjes së këshillit të komunitetit shqiptar-australian - Këshava në Dandenong, Klubit Futbollistik "Dandenong Thunder", si dhe me mbështetjen e bashkisë së Dandenong-ut. Ky festival është një ngjarje e gëzueshme kulturore për komunitetin shqiptar të Victoria-s.


Ditën e dielë me datë 6 Mars do të mbahet në qytezën e Dandenong-ut në Victoria, Festivali Shqiptar i Shoqatës së Komunitetit Shqiptar të Australisë në Dandenong – Këshava.

Ky festival organizohet falë përkujdesjes së këshillit të komunitetit Shqiptar-Australian në Dandenong, Klubit Futbollistik "Dandenong Thunder", si dhe mbështetjes së bashkisë së Dandenong-ut.

Festivali rivjen pas disa vitesh ndërprerje, dy të fundit të detyruara nga kufizimet e rrepta kundër pandemisë në shtetin e Victoria-s.

Është në natyrën dhe në të drejtën e komuniteteve multikulturore në Australi që të festojne tradicionalisht elementet kryesore të kulturave të tyre, të cilat shpalosen në sfondin e jetës australiane të këtyre komuniteteve.

Edhe ky festival është një ngjarje e gëzueshme kulturore, qe do tu mundësoje Shqiptarë-Australianëve në komunitetin lokal të Dandenong-ut por edhe në të gjithë Victoria-n, të takohen dhe të ri-lidhen me njëri tjetrin së bashku me familjet dhe fëmijet e tyre në hapësiren e dedikuar për festivalin.

Festivali mblidhet në fushën e Klubit Futbollistik Dandenong Thunder, në George Andrews Reserve, Trewin Street, në Dandenongun e Jugut, që prej orës 10 të mëngjesit.

Gjatë së dielës së festivalit në datë 6 Mars, komuniteti shqiptar në Dandenong, Melbourne e më gjerë ka rastin të festojë kulturën e tij, si dhe të argëtohet me kengë të grupeve muzikore të komunitetit lokal shqiptar, përkrahas stendave me ushqime të traditës shqiptare, dhe shpalosjes së kostumeve te larmishme kombëtare.

Por në menyrë të vecantë, të gëzojë përparësitë që sjell diversiteti dhe harmonia e kulturave në një atmosferë festive dhe miqësore shqiptare-australiane.

 


Share
Festivali i Dandenong-ut mbledh sërish komunitetin shqiptar në Victoria | SBS Albanian